You must enable JavaScript to view this site.
This site uses cookies. By continuing to browse the site you are agreeing to our use of cookies. Review our legal notice and privacy policy for more details.
Close
Homepage > Regions / Countries > Europe and Central Asia > Balkans > Kosovo > Breaking the Kosovo Stalemate: Europe's Responsibility

Zhbllokimi i Ngecjes në Kosovë: Përgjegjësi e Evropës

Raport për Evropë, Nr 185 21 Aug 2007

PËRMBLEDHJE DHE REKOMANDIME

Strategjia e preferuar e Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-së për të sjellur Kosovën në pavarësi të mbikëqyrur përmes Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka dështuar, pas qëllimit të deklaruar të Rusisë për të përdorur veton e saj. Derisa shqiptarët e Kosovës bëhen çdo herë e më të parehatshëm dhe me gjasë së shpejti do të shpallin pavarësin e një anëshme në mungesë të një alternative kredibile, Evropa rrezikon një konflikt të ri, të përgjakshëm dhe destabilizues. Në mënyrë që t’i shmanget kaosit në pragun e vet, BE-ja dhe shtetet anëtare të saj tash duhet të pranojnë përgjegjësinë kryesore të sjelljes së Kosovës deri te pavarësia e mbikëqyrur.

Rreziqet nga mosveprimi janë të mëdha për Evropën. Para fundit te vitit, liderët shqiptarë të Kosovës do të gjenden me gjasë nën presion të parezistueshëm të brendshëm që të shpallin pavarësinë, me apo pa përkrahje të jashtme. Nëse ata veprojnë dhe nuk përkrahen, Kosova do të coptohet. Serbia do të rimarrë pjesën e teritorit në veri të lumit Ibër, serbët në pjesët e tjera të Kosovës do të iknin, dhe tetë vjet të ndërtimit të institucioneve nën drejtimin ndërkombëtar do të humbnin. Ky shpërthim do të destabilizonte vendet fqinjë, gjë që do të rriste presionin për coptime të mëtutjeshme përgjatë vijave etnike. BE-ja shumë shpejt do të përjetonte vërshime të refugjatëve dhe do të ndjente efektin e rritur të trazirave do t’i jipnin rrjeteve të krimit të organizuar në Ballkan, e cila qysh tash shpërndan shumicën e heroinës në Evropë, mundëson migrimin ilegal dhe është përgjegjës për afro 30 për qind të femrave viktima të tregut të seksit anekënd botës.

Dështimi për të vepruar gjithashtu do të diskreditonte Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (PPJS) të BE-së dhe orvatjet e saj që të projektojë veten si aktor ndërkombëtar kredibil në konfliktet tjera. Siç theksohet edhe në vet strategjinë e saj zyrtare të sigurisë, “kredibiliteti i politikës sonë të jashtme varet nga konsolidimi i arritjeve tona [në Ballkan]”.

Sa më shpejt që BE-ja, apo një shumicë domëthënëse e shteteve të saj anëtare, deklarojnë gatishmërinë e tyre për të përkrahur një Kosovë të pavarur, aq më të mëdha janë gjasat për të parandaluar një dëm të tillë për BE-në. Grupi i Kontaktit i gjashtë shteteve (Franca, Gjermania, Italia, Rusia, Mbretëritë e Bashkuara dhe SH.B.A-të) që ka udhëhequr politikën për Kosovën, ka autorizuar një periudhë katër-mujore bisedimesh të reja në mes Prishtinës dhe Beogradit. Këto bisedime filluan në javën e dytë të gushtit por, duke marrë parasysh pozicionet e skajshme, palët kanë shumë pak gjasa për të arritur sukses. Anëtarët e BE-së dhe SHBA-të duhet të sigurohen që të mos shprishin modelin e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën, të përpunuar nga i dërguari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ish-Presidenti finlandez Martti Ahtisaari, gjatë një viti diplomacie të kujdesshme (plani i Ahtisaarit). Ata gjithashtu duhet ti shfrytëzojnë këta katër muaj për të ndërtuar një aleancë që do të koordinojë tranzicionin e Kosovës drejt pavarësisë.

SHBA-të kanë përgjegjësi të konsiderueshme, që të harmonizoj veprimet me retorikën e saj të fuqishme në përkrhaje të pavarësisë së Kosovës me veprime më të qëndrueshme drejt atij qëllimi – u vërejt që Presidenti Bush dështoi t’i bëjë presion Presidentit rus Putin në samitin e tyre të fundit në Kennebunkport – dhe në anën tjetër, të përdorin ndikimin e tyre mbi shqiptarët e Kosovës për t’i mbajtur ata bashkëpunues dhe konstruktivë gjatë muajve të ndjeshëm që kemi përpara. Por përfundimisht çelësi është në BE-në. Plani i Ahtisaarit parashikon që ajo të dërgojë një përfaqësues special me personel të konsiderueshëm për të koordinuar mbikëqyrjen civile të pavarësisë së kushtëzuar dhe misionin e sundimit të ligjit, si dhe të ofrojë, nëpërmjet proceseve të saj për anëtarësim, përkrahjen ekonomike dhe motivimin që do të siguronte që një Kosovë e pavarur nuk do të bëhej shtet i dështuar. BE-ja ka përkrahur planin e Ahtisaarit, por një numër i anëtarëve të saj janë skeptik se a mund të vazhdohet me të në mungesë të bekimit nga Këshilli i Sigurimit. Anëtarët e BE-së, të Grupit të Kontaktit duhet të bartin barrën e rëndë në mënyrë që ta përgatisin organizatën që të marrë përgjegjësitë e veta. 

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon ka kërkuar që Grupi i Kontaktit t’i raportojë atij mbi bisedimet Beograd-Prishtinë pas katër muajve, më 10 dhjetor. Kjo është pika në të cilën, ashtu siç po duket se do të ndodhë, nëse nuk del asnjë zgjidhje e pranueshme nga këto bisedime, BE, SHBA dhe NATO duhet të përgatiten që të fillojnë veprime të koordinuara me qeverinë e Kosovës për të implementuar esencën e planit të Ahtisaarit, duke përfshirë edhe periudhën tranzitore 120-ditëshe, ashtu siç parashihet. Kjo periudhë tranzicioni duhet të shfrytëzohet për të grumbulluar deklaratat për njohjen e shtetit të pavarur të kushtëzuar nga sa më shumë qeveri që të është e mundshme; për të miratuar dhe për të vënë në vend legjislacionin shtet-formues dhe institucionet relevante të parashikuara nga plani i Ahtisaarit; për qeverinë e Kosovës (të tashmen apo, në varësi nga data e zgjedhjeve, të ardhmen) që të ftojë BE-në dhe NATO-n për të marrë përgjegjësitë e tyre dhe që këto organizata të bëjnë këtë gjë; dhe për Misionin e Përkohshëm Administrativ të Kosovës të OKB-së (UNMIK) që të tërhiqet në mënyrë të organizuar. Në fund të kësaj periudhe – në prill/maj 2008 – Kosova do të ishte e pavarur nën kushtet e mbikëqyrjes nga ana e BE-së dhe NATO-s.

Jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së kanë nevojë ta njohin Kosovën gjatë tranzicionit apo madje edhe në prill/maj 2008. BE-ja ka procedura – “abstenimi konstruktiv” dhe “bashkëpunimi i gjërë” – të cilat lejojnë që të mirren vendime dhe të bëhen veprime në raste kur nuk është e mundur të mirren vendime unanime. Ajo çka është me rëndësi është që misioni i BE-së të fillojë punën në Kosovë (dhe të reformohet misioni i NATO-s) sa më parë që të jetë e mundur. Nëse ky nivel minimal i unitetit të BE-së nuk është i arritshëm, SHBA-të dhe disa nga shtetet e mëdha evropiane do të duhej të riprodhonin elementet bazike të mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe të misioneve mbrojtëse nga resurset e veta.

Se sa e qëndrueshme do të ishte një përpjekje aty për aty dhe sa do të ishte efektive që t’i japë Kosovës prospektin motivues për një integrim të mundëm evropian si kusht për prosperitet, do të ishte e diskutueshme. Ajo që nuk do të ishte e diskutueshme është dëmi masiv që BE-ja do t’ia bënte vetvetes duke dështuar aq haptazi që të veprojë si aktor ndërkombëtar koherent për t’u ballafaquar me një sfidë të madhe të sigurisë së kufijtë e vet.

Pa mburojën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për pavarësi, Serbia do të hezitojë edhe më shumë që të heqë dorë nga Kosova. Për vite të tëra shtetin e ri do ta ndjekë Rezoluta 1244 e parevokuar e Këshillit të Sigurimit, e cila më 1999, në fund të konfliktit me NATO-s, njohu ruajtjen formale të soverenitetit të Serbisë për periudhën e përkohshme mbi provincën e cila u vendos nën mbikqyrjen e OKB-së. Serbia do të vazhdojë të ketë pretendime mbi atë soverenitet dhe, bashkë me Rusinë, do të provojë që të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Beogradi do të sfidojë edhe më fort pronësinë e Prishtinës mbi veriun me shumicë serbe, dhe autoritetin ndërkombëtar për mbrojtjen e integritetit terrirorial të Kosovës do të jetë më i dobët. Rusia mund të përpiqet që të shfrytëzojë rezultatin për qëllimet e veta në konfliktet e ngrira në Kaukazin Jugor dhe Moldavi.

Të gjitha këto janë pasoja të padëshiruara, pasoja këto që në një masë të madhe do të mund të ishin shmangur nëse Këshilli i Sigurimit do të kishte hapur rrugën për pavarësinë e Kosovës në bazë të planin të Ahtisaarit. Por pasojat e mosveprimit nga BE-ja do të jenë më të mëdha – për Kosovën, Ballkanin dhe vetë BE-në. Është koha për vetëdijësim dhe veprim.    

REKOMANDIMET

Pesëshes (Francë, Gjermani, Itali, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA):

1.  Grupi i Kontaktit t’u përmbahet parimeve të cilat tashmë i ka miratuar për zgjidhjen e statusit të Kosovës, duke përfshirë jo nndarjen.

2.  Të vazhdohet me supozimin se marrëveshja me Rusinë për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që do të autorizonte implementimin e planit të Ahtisaarit nuk është e arritshme dhe se nuk do të ketë marrëveshje që do të rezultojë nga bisedimet Beograd-Prishtinë, të autorizuara nga Grupi i Kontaktit, dhe të koncentrohen përpjekjet në implementimin e atij plani, në mënyrë që të arrihet një pavarësi në mënyrë të organizuar, e kushtëzuar (e mbikëqyrur) për Kosovën, e përkrahur nga të gjitha apo nga shumica e madhe e shteteve anëtare të BE-së dhe SHBA-të deri në prill/maj 2008.    

3.  Të angazhohet intenzivisht me shtetet anëtare të BE-së skeptike ndaj pavarësinë e Kosovës, duke sqaruar në mënyrë të qartë dhe publike çmimin e lartë të mosveprimit për stabilitetin në Ballkan dhe rrjedhimisht në Evropë, dhe kredibilitetin e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (PPJS) të BE-së.

4.  Të adaptohet qëndrimi i mëposhtëm kundrejt bisedimeve Beograd-Prishtinë:

a) ato nuk mund të vazhdojnë më gjatë se katër muaj dhe duhet të marrin fund jo më vonë se 10 dhjetori 2007, që është dhe afati për raportim i vendosur për Grupin e Kontaktit nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon;

b) delegacionit të Kosovës nuk duhet ti bëhet presion për të bërë koncesione përtej kushteve të planit të Ahtisaarit, të cilat kushte ajo tashmë i ka pranuar, por duhet të inkurajohet që të marrë parasysh masa të mëtutjeshme dhe të kufizuara në lidhje me komunitetet me shumicë serbe, në rast se delegacioni serb është i gatshëm të konsiderojë që të pranojë pavarësinë;

c) të shfrytëzohet periudha e bisedimeve për të ndërtuar përkrahje maksimale brenda BE-së për implementimin e planit të Ahtisaarit, t’u bëhet e qartë autoriteteve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës synimi për të arritur pavarësinë e kushtëzuar (të mbikëqyrur), sipas planit deri në prill/maj 2008, dhe të vendoset baza e punës e bashkëpunimit me Sekretariatin e OKB-së për aranzhimin e tërheqjes së organizuar të Misionit të Përkohshëm Administrativ të Kosovës të OKB-së (UNMIK) sipas këtij plani; dhe

d) nëse palët nuk kanë arritur marrëveshje deri në dhjetor 2007, të vazhdohet në koordinim me qeverinë e Kosovës dhe me sa më shumë shtete anëtarë te BE-së për të implementuar planin e Ahtisaarit për pavarësi të kushtëzuar (të mbikëqyrur), duke përfshirë dhe deklaratën e kësaj pavarësie që inkorporon periudhën tranzicitore 120-ditëshe, për t’u kompletuar në prill/maj 2008.

Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të saj:

5.  Të njihet fakti se dështimi për të arritur një qëndrim të unifikuar në përkrahje të pavarësisë së kushtëzuar (të mbikëqyrur) të Kosovës do të diskreditojë PPJS-në e BE-së dhe Strategjinë Evropiane të Sigurisë.

6.  Të prioritizohet Kosova si çështje më urgjente pë BEnë, si qështje imediate e sigurisë për momentin,, duke ia përkushtuar asaj kohën dhe energjinë e nevojshme për arritjen e marrëveshjes se:

a) nuk ka alternativë tjetër praktike për pavarësinë e kushtëzuar (të mbikëqyrur) të Kosovës, nga ajo mbi bazën e planit të Ahtisaarit, e cila duhet të arrihet jo më vonë se në prilli/maji 2008;

b) sa më shume shtete që të jetë e mundur të njohin Kosovën kur ajo të deklarojë pavarësinë e kushtëzuar (të mbikëqyrur) në përputhshmëri me planin e Ahtisaarit, pas mbarimit të bisedimeve në dhjetor 2007;

c) BE-ja do të ofrojë shumicën kompetente të mbikëqyrjes ndërkombëtare, siç është  parashikuar në planin e Ahtisaarit, duke filluar me punën e misionit të Zyres Civile Ndërkombëtare / Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (ZCN/PSBE) dhe misionit të sundimit të ligjit (Politika Evropiane e Sigurisë dhe Mbrojtjes, PESM) brenda afatit kohor, në mënyrë që të mund të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, me ftesë të qeverisë së Kosovës, diku mes shpalljes së pavarësisë së kushtëzuar (së mbikëqyrur) pas mbarimit të bisedimeve në dhjetor 2007, dhe hyrjes së saj në fuqi me përfundimin e periudhës tranzitore 120-ditësh, në prill/maj 2008;

d) shtetet anëtare skeptike nuk do të kundërshtojnë koncensusin për fillimit e këtyre misioneve, por mund të zgjedhin abstenimin konstruktiv, sipas Nenit 23 të Traktatit mbi Bashkimin Evropian; dhe

e) në rast se shtetet anëtare skeptike nuk dëshirojnë që të identifikohen me planin pë vendosjen dhe operimin e misioneve ZCN/PSBE dhe sundimit të ligjit në atë masë të kufizuar që ofrohet nga provizioni i abstenimit konstruktiv, një koalicion i shteteve anëtare të BE-së, të gatshme, duhet të përdorë provizionet e bashkëpunimit të theksuar të Nenit 27 a-d, të Traktatit për këtë qëllim dhe të përdorin në mënyrë adekuate mekanzimat e BE-së.   

7.  Për të avansuar një koncensus të plotë në atë që u tha më lartë, sa më shumë shtete që të jetë e mundur, duke përfshirë anëtarët e BE-së të Pesëshes, duhet të deklarojnë gatishmërinë e tyre që, në mungesë të një marrëveshjeje nga bisedimet Beograd-Prishtinë, të përkrahin shpalljen e pavarësisë së kushtëzuar (së mbikëqyrur) të Kosovës, mbi bazën e planit të Ahtisaarit, pas 10 dhjetorit 2007 dhe të jetësojnë atë më 2008.

8.  Të inkurajohen institucionet e Kosovës dhe grupet punuese që të punojnë më urgjentisht në përgatitjen e pakos së legjislacionit shtet-formues, duke përfshirë edhe kushtetutën e parashikuar me planin e Ahtisaarit dhe të autorizohen zyrtarët e BE-së në Kosovë, përfshirë dhe grupet planifikuese për misionet ZCN/PSBE dhe sundim të ligjit, që të marrin pjesë më aktivisht dhe më gjerësisht në proces, duke përfshirë shqyrtimin e drafteve, në mënyrë që pakoja të jetë gati brenda planit kohor të parashikuar për pavarësi të kushtëzuar (të mbikëqyrur).      

9.  T’i bëhet e qartë Serbisë, përmes deklaratave zyrtare dhe nëpërmjet mesazheve të kaluara nga shtetet anëtare simpatizante të saj, se progresi në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe në përgjithësi marrëdhëniet e saj me BE-në, varen shumë nga zgjidhja e çështjes së Kosovës.

NATO-s dhe shteteve anëtare të saj:

10.  NATO duhet të konsultohet me shtetet anëtare që kontribuojnë trupa në misionin e saj të Kosovës (KFOR) për t’u siguruar se asnjë nga ata që fundamentalisht refuzojnë njohjen e pavarësisë së kushtëzuar (së mbikëqyrur) të Kosovës, të mos zbarkojë kontigjente që nga fillimi i vitit 2008 dhe që kontributet e tyre të zëvendësohen nga ato të shtete, që janë të gatshme të njohin atë status. 

11.  Pas shpalljes së pavarësisë së kushtëzuar (së mbikëqyrur) dhe njohjes nga SHBA-të dhe shtetet anëtare të BE-së, NATO-ja duhet të qëndrojë në Kosovë dhe të kryejë detyrat e specifikuara siç parasheh plani i Ahtisaarit.  

12.  Nëse Këshilli i NATO-s nuk pajtohet me vazhdimin e punës, SHBA-të dhe ato shtete anëtare të BE-së të cilat kanë njohur pavarësinë e Kosovës duhet ti zbarkojnë forcat e tyre për të kryer detyrat relevante të sigurisë.

Sekretariatit të OKB-së dhe UNMIK-ut:

13.  Të lejohen institucionet e Kosovës që të punojnë në përgatitjet për implementimin e planit të Ahtisaarit, përfshirë këtu dhe miratimin e kushtetutës dhe ligjeve të tjera shtet-formuese nga Asambleja.

14.  T’i përgjigjen shpalljes së pavarësisë së kushtëzuar (së mbikëqyrur) dhe njohjes së Kosovës nga SHBA-të dhe shtetet anëtare të BE-së, duke ia hedhur përgjegjësitë misioneve pasuese të BE-së dhe duke tëhequr UNMIK-un në mënyrë të organizuar.


Udhëheqësisë së Kosovës:

15.  Të miratohet një rezolutë e Kuvendit që deklaron se:

a) Kuvendi do të punojë për të miratuar gjatë jetës së saj sa më shumë nga pakoja e legjislacionit shtet-formues, e parashikuar në planin e Ahtisaarit;

b) Kuvendi (ose, në varësi me datën e zgjedhjeve, të pritet që Kuvendi pasues) formalisht do të deklarojë pranimin e planit të Ahtisaarit dhe të fillojë tranzicionin 120-ditësh drejt pavarësisë së kushtëzuar (së mbikëqyrur) mbi bazën e atij plani pas 10 dhjetorit; dhe

c) Kuvendi pret nga qeveria e Kosovës që të shfrytëzojë tranzicionin 120-ditor për tu koordinuar me BE-në, NATO-n dhe shtetet anëtare të këtyre organizatave për një strategji për tranzicionin,, dukë përfshirë një plan të sigurisë dhe të ftojë ato të marrin përsipër rolet e parashikuara në planin e Ahtisaarit në kohë të duhur, para se të hyjë në efekt pavarësia e kushtëzuar, me skadimin e periudhës 120-ditëshe (prill/maj 2008). 

 

Prishtinë/Beograd/Nju Jork/Bruksel, 21 gusht 2007

More Information