You must enable JavaScript to view this site.
This site uses cookies. By continuing to browse the site you are agreeing to our use of cookies. Review our legal notice and privacy policy for more details.
Close
Homepage > Regions / Countries > Europe and Central Asia > Balkans > Kosovo > Kosovo and Serbia after the ICJ Opinion

Kosova dhe Serbia pas Mendimit të GJND-së

Europe Report N°206 26 Aug 2010

PERMBLEDHJA DHE REKOMANDIMET

Me dhënien e mendimit këshillues të Gjykatës Ndër­kombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi legalitetin e dek­la­ratës ë pavarësisë së Kosovës, në korrik të vitit 2010, Kosova dhe Serbia kanë mundësinë t’i tejkalojnë dall­imet, të vendosin marrdhënie dypalëshe dhe te zhbllo­kojnë rrugën e tyre drejt integrimit ne Bashkësinë Evro­piane (BE). Pengesat janë të mëdha, duke përfshirë dysh­imin e ndërsjellë, agjenda të kundërta dhe pasiguritë në lidhje me qëllimet e vërteta të secilës palë. Mosfillimi i bisedimeve ne muajt e ardhshëm do të krijonte një kon­flikt të ngrirë për disa vite, pasiqe palët do të hyjnë në procesin e zgjedhjeve gjatë të cilave situata e krijuar do të shfrytëzohej për mobilizimin e mendimit nacionalist dhe largimin e vëmendjes nga kritikat rreth korrupsionit dhe dështimeve të qeverisë. Ndryshimet e kohëve të fundit në qëndrimet publike të Beogradit dhe Prishtinës, edhe pse jo gjithnjë publike, na bëjnë me dije se një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët është e mundshme.

Në rrethana të pakushtëzuara dhe të mbikëqyrura nga BE-ja, Kosova dhe Serbia do te duhej që menjëherë të fillojnë bisedimet me qëllim të arritjës së një kompromisi gjithë­përfshirës. Draft-rezoluta e deponuar nga Serbia me 28 korrik, që bën thirrje për bisedime të reja për Kosovën, pritet të diskutohet nga Asambleja e Përgjithshme e KB-së në muajin shtator. Kosova do të pranonte një dialog i cili nuk do të vinte në dyshim statusin dhe integritetin territorial të saj. Organizimi i një raundi të ri Kosovë-Serbi është sfidë e radhës për BE-në e ndarë, ku prej 27 anëtarëve, 22 e kanë njohur Kosovën ndërsa pesë nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Edhe këshilltarët e këtyre shteteve janë të ndarë në dy grupe: ata që mbështesin një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të tjerët që thonë se vetëm qasja graduale, e filluar me çështje teknike është e realizueshme.

Cështja e njohjës diplomatike të shtetësisë së Kosovës është thelbi i problemit. Edhe pse 69 shtete kanë ndër­marrë një hap të tillë, Serbia është e vendosur mos ta njohë kurrë “deklaratën e njëanshme të pavarësisë” të territorit. Ky qëndrim, dhe frika që kanë nga precedentët secesionist jane argumentet që përdoren nga pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën. Në Këshillin e Sigurimit të KB-së, Rusia dhe Kina, si dhe shumë anëtarë jo të përhershëm, kundërshtojnë njohjën. Prishtina shpreson që opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), do të nxisë më shume njohje pasiqë po kjo gjykatë konkludoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës, e datës 17 shkurt 2008 nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare apo Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 (baza legale për mbikëqyrjën e territorit nga OKB-ja, qysh nga fundi i luftës, më 1999). Megjit­hatë, qëndrimet e pesë shteteve anëtare të BE-së dhe të anëtarëve te Këshillit të Sigurimit të OKB-së (sidomos Rusisë dhe Kinës), vështirë se do të mund të luhaten pa miratimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, së paku jopu­blikisht, përmes kanaleve diplomatike dhe even­tu­alisht, me njohjën e plotë dhe formale.

Problemi i vërtetë në terren mbetet ai i komunave në veri të Kosovës. Veriu tash e dy dekada nuk është nën auto­ritetin e Prishtinës; popullata pakët dhe rurale serbe e kundërshton njëzëri integrimin në institucionet e Koso­vës. Kundërshtimi përfshin edhe planin e Marti Ahti­saarit, ish-presidentit të Finlandës dhe laureatit të cmimit Nobel për paqe, i cili kishe hartuar këtë plan në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të KB-së, më 2007, me të cilin rregullohet pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës, duke ofruar nivel te lartë të vetëqeverisjës për komunat me shumicë serbe dhe duke u dhënë kompetenca shtesë në fushën e edukimit dhe shëndetësisë. Serbia ende admin­is­tron me komunat, gjykatat, policinë, doganat dhe shër­bi­met publike, ndërsa Misioni për Sundim të Ligjit i BE-së (EULEX) ka një prezencë të zbehur atje. Dy incidentet në Mitrovice, që ndodhën në korrik, treguan se dhuna mbetet kërcënim real.

Ekzistojnë tri zgjidhje të arritshme për Veriun: plani i Ahtisarit, autonomi e zgjeruar dhe shkëmbim territoresh. Grupi i Krizave ka qenë ndër përkrahësit më të fuqishëm

të planit të Ahtisarit në kohën e hartimit të tij. Megjithatë, deri më tani nuk ka mjaftuar vetëm ky plan për të inte­gruar Veriun e vendit apo për rritjen e numrit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. Prishtina do të mund të ofronte të drejta shtesë për Veriun, të drejta këto që mund të krahasohen me ato të rajoneve evropiane e ku do të përfshiheshin legjislatura dhe ekzekutivi rajonal, policia dhe gjyqesia lokale, si dhe marrëveshja se pjesa më e madhe e taksave dhe pagesave të mbledhura atje do ti takonin atij rajoni. Por, nuk ka shenja të qarta se Beogradi apo serbët e Veriut do të pranonin as këtë autonomi të zgjeruar. Për më shumë, ndarja, sipas tyre, do të mund të krijonte një situatë të tillë ku Serbia do ta njihte pjesën tjetër të Kosovës si shtet të pavarur.

Prishtina nuk e pranon ndarjën por lë të kuptohet se mundësia e shkëmbimit të Veriut të banuar me serbë dhe pjesëve të Luginës së Preshevës të banuara me shqiptarë mund të konsiderohet si zgjidhje. Disa kosovarë shqetë­sohen në lidhje me autonominë e Veriut, por shumica e ndërkombëtarëve konsiderojnë se ndryshimi i kufijve do të nxiste zhvendosjën e serbëve që jetojnë ne jug te Ibrit e poashtu do të rrezikonte stabilitetin e Maqedonisë fqinje dhe Bosnje e Hercegovinës. Grupi i Krizave, ne të kalua­rën ka tërhequr vërejtjen për një gjë të tillë, por hulum­ti­met më të reja tregojnë se këto shqetësime nuk janë më valide.

Një çështje ndoshta edhe më delikate sesa ajo e fatit të rreth 45,000 serbëve në Veri, është ajo e statusit dhe sigurisë së manastireve dhe kishave ortodokse serbe. Plani i Ahtisarit ofron mbrojtje të zgjeruar, por Kisha kërkon më shumë, kryesisht falë frikës se sulme të ngjashme me ato të marsit, 2004 mund të përsëriten. Asnjë udhëheqës në Serbi nuk do të mund ta mbante gjallë debatin mbi Kosovën pa mbështetjen e fuqishme të Kishës Ortodokse. Rrjedhimisht, Beogradi dëshiron ta forcojë pozicionin e Kishës duke fituar së paku premtimin për eksterritorialitetin, garancat për marrëveshjen even­tuale dhe mbrojtjën e kishave dhe manastireve nga një forcë ndërkombëtare pas largimit të forcave paqeruajtëse të NATO-s (KFOR). Duket sikur ka hapësirë që qeveria në Prishtinë, e cila tashmë ka bërë lëshime të mëdha për Kishën gjatë bisedimeve të Ahtisarit, ta shqyrtojë edhe një herë këtë çështje, pa paragjykuar sovranitetin e saj.

Mirëpo, para se te shqyrtohen statusi, veriu i vendit apo kishat, Prishtina do të dëshironte që bisedimet të foku­so­heshin në çështje teknike si doganat, tregtia, komunikimi, energjetika dhe transporti. BE-ja dhe SHBA-të gjithashtu preferojnë që të fillohet me çështje të tilla, më pak të ndjeshme, në mënyrë që të ndërtohet besimi i ndërsjellë. Po të njëjtat paraqesin probleme të cilat ndikojnë në jetën e përditshme të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, duke ua kufizuar qasjen në mallra dhe shërbime. Por, për­pjek­jet e deritanishme të BE-së, që me diplomaci levizëse (“shuttle diplomacy”) të ndryshojnë gjendjën në terren kanë dështuar. Me gjasë, çështja e statusit do ta bllokonte progresin edhe në këto fusha, përpos nëse Beogradi tre­gon gatishmëri që ta njohë, së paku në mënyrë implicite autoritetin e Kosovës.

Në mënyrë që të ketë bisedime serioze, gjithëpërfshirëse e që do të sillnin një marrëveshje përfundimtare, dialogu dypalësh duhet të tejkalojë suazat e çështjeve teknike. Nëse Serbia me të vërtet kërkon progres thelbësor dhe dëshiron ti bindë BE-në dhe SHBA-në se është e ven­do­sur të negociojë e jo vetëm të vonojë njohjet eventuale të Kosovës, atëhere ajo duhet ta njohë Kosovën si partner të barabartë, edhe nëse nuk e njeh si shtet të pavarur. Grupi i Krizave është optimist për këtë mundësi. Në qeverinë e Tadic-it sot ekziston mirëkuptim shumë më i gjithanshëm në lidhje me çështjen e Kosovës sesa që ka ekzistuar ndonjëhere në ate të Koshtunicës. E gjitha ka arritur në atë pikë sa disa zyrtarë janë në kërkim të metodave kreative që në mënyrë të ndershme ta lirojnë Serbinë nga barra e Kosovës. Qeveria insiston në aftësinë e saj për të mbajtur nën kontroll opinionin publik, por kërkon që ti krijohen mundësitë që të dalë faqebardhë para nacio­na­listëve dhe të mos shihet si tradhtare e interesave nacio­nale. Në anën tjetër, edhe Prishtina është bërë më realiste në lidhje me atë se çka ata dhe përkrahësit e tyre ndër­kombëtar mund të bëjnë në veri të vendit.

Komuniteti ndërkombëtar do të duhej të hartonte rregulla të lojës sa më gjithëpërfshirëse, duke ua lënë palëve të vendosin se sa larg dhe në çfarë drejtimi mund të shkojnë për të arritur qëllimin e tyre. Rezultati më i paqartë që mund të dalë nga këto negociata, do të ishte ai i shkëm­bimit të territoreve mes Veriut të Kosovës me serbë dhe pjesës etnike shqiptare të Luginës së Preshevës në Serbi. As Prishtina e as Beogradi nuk dalin haptazi me këtë propozim por zyrtarë të të dyja kqyeqyteteve kanë filluar të flasin për këtë opcion, në kontaktet me Grupin e Kri­zave. Në komunitetin ndërkombëtar, një numër i vogël do të ishin të lumtur me një zgjidhje të tillë. Grupi i Krizave mendon se asnjë opcion për marrëveshje nuk duhet të largohet nga tavolina e bisedimeve pasiqë kjo do të mund të krijonte një konflikt të ngrirë, pa garanca për zgjidhje eventuale të tij. Autonomia e zgjeruar për Veriun, statusi autonom vetëqeverisës i Kishës Ortodokse Serbe, i paraparë me planin e Ahtisarit, në shkëmbim të njohjës së Kosovës nga Serbia do të ishte e pranueshme për të dyja palët. Por, as Prishtina e as Beogradi nuk janë të gatshëm të hyjnë në këtë proces, ndërkaq komuniteti ndër­kom­bëtar, edhe ashtu i përçarë, nuk është në pozitë për të ushtruar trysni. Nëse edhe shkëmbimi i territoreve është i papranueshëm, ndërsa një zgjidhje gjithëpërfshirëse del të ketë qenë iluzion, një status i përkohshëm për Veriun mund të jetë zgjidhje qe ia vlen të merret parasysh.

Në mënyrë që Brukseli ta konsiderojë pozitivisht aplika­cionin e Serbisë për kandidat në BE, Serbia duhet të jetë e vendosur të bashkëpunojë me Prishtinën për vendosjën e rendit dhe ligjit në veri, marrëdhënie të mira fqinjësore si dhe për një mori çështjesh teknike me qëllim të përmi­rësimit të jetës së përditshme për popullatën.

Serbia gjithashtu duhet ti ndalë përpjekjet e saja për të penguar pjesëmarrjën e Kosovës në institucionet rajonale. Nëqoftëse bisedimet dështojnë tërësisht, BE-ja dhe SHBA-të mund të provojnë ta integrojnë Veriun me shtrirjën e EULEX-it dhe të forcave të rendit të Kosovës në atë pjesë të vendit. Megjithatë, numri i reduktuar i trupave ushtarake, resurset e pakta dhe ndikimi i vogël politik në atë pjesë e bën këtë opcion gati të pamundshëm.

REKOMANDIME

Për Bashkësinë Evropiane (BE), shtetet anëtare të BE-së dhe qeverinë e SHBA-së:

1.  Të ofrojnë ndërmjetësimin në negociatat Kosovë-Serbi, në bazë të parimeve në vijim:

a) bisedimet do të mbaheshin në nivel të Boris Tadic-it për Serbinë dhe kryeministrit Hashim Thaçi për Kosovën;

b) bisedimet do të duhej të fillonin sa më shpejtë dhe të përfundonin në fillim të verës 2011; dhe

c) vetë palët do të duhej ta caktonin agjendën, pa përjashtuar asnjë temë qysh ne fillim të bise­di­meve.

2.  Të caktojnë një diplomat të lartë për të filluar për­ga­titjet e bisedave, duke përfshirë edhe lëvizjen kon­stante mes Beogradit e Prishtinës.

3.  Të japin premtimin se do të pranojnë cfarëdo marr­ë­veshje të arritur mes dy palëve.

4.  Të rifillojnë përpjekjet për arritjen e kompromisit rreth cështjes së emrit midis Greqisë e Maqedonisë si dhe të ruhet stabilitieti në Bosnje e Hercegovinë nga efektet e mundshme negative me rastin e fillimit të negociatave Kosovë-Serbi.

5.  Të punohet me Kosovën që të arrihen më shumë njohje ndërkombëtare.

Për qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë:

6.  Të pranohet ndërmjetësimi dhe qasja në bisedime si palë të barabarta.

7.  Të konsiderohet një zgjidhje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë këto elemente:

a) njohja e Kosovës me kufijtë ekzistues;

b) autonomi e zgjeruar për rajonin në veri të lumit Ibër në përputhje me integritetin territorial të Kosovës, duke përfshirë legjislativin dhe ekze­ku­tivin rajonal, kontrollin mbi pjesën më të madhe të taksave dhe cështje tjera për të cilat do të ketë mirëpuktim të dyanshëm; dhe,

c) status vetëqeverisës autonom për mjediset e Kishës Ortodokse Serbe, duke përfshirë të gjitha pjesët përbërëse të planit të Ahtisarit, të cilave do ti shtohej sigurimi i armatosur ndërkombëtar pas largimit të KFOR-it dhe të garantuar me një marrëveshje apo rezolutë të Këshillit të Sigurimit.

8.  Nëse zgjidhja gjithëpërfshirëse nuk arrihet, përkrahni njëri tjetrin në zbatimin e rendit dhe ligjit ne Veri dhe vendosni marrëdhënie të mira fqinjësore duke përmbyllur marrëveshje ne fushën e tregtisë, doga­nave, komunikimit, energjetikës dhe transportit, të cilat do t’ua lehtësonin jetën qytetarëve dhe njëko­hësisht do ta forconin ekonominë e Kosovës dhe ate të Serbisë.

9.  Të hapen me procedurë të shpejtë zyra përfaqësuese pa akreditim ambasadorial në Prishtinë dhe Beograd.

10.  Të bashkëpunohet për të mundësuar sigurinë dhe funksionimin e zyrës së Kosovës në Mitrovicën Veriore.

Për Qeverinë e Serbisë:

11.  Të ndërtohet besimi i ndërsjellë duke lejuar pa vonesa të mëtejme pjesëmarrjen e Kosovës, pa KB-në, në organizata ndërkombëtare të cilat nuk pre­ju­dikojnë statusin e Kosovës. Organizata të tilla mund të jenë Unioni Ndërkombëtar i Tele­komunikimeve, CEFTA dhe institucione rajonale të zbatimit të ligjit.

12.  Të punohet me shtetet anëtare për amandamentimin e Rezolutës së propozuar për Kosovën në Asamblenë e Pergjithshme të KB-së me qëllim të krijimit të ambientit për dialog dhe për të fituar përkrahje sa më të gjërë.

Prishtinë/Beograd/Bruksel, 26 gusht, 2010

 
This page in:
English
shqipe
srpski

More Information