You must enable JavaScript to view this site.
This site uses cookies. By continuing to browse the site you are agreeing to our use of cookies. Review our legal notice and privacy policy for more details.
Close
Homepage > Regions / Countries > Europe > Balkans > Macedonia > Macedonia: Wobbling toward Europe

Maqedonia: Me hapa të pasigurt drejt Evropës

Brifing për Evropë nr. 41 12 Jan 2006

PASQYRË E PËRGJITHSHME

Vendimi i Bashkimit Evropian, i marrë në Samitin e dhjetorit 2005, që Maqedonisë t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE është një moment historik për këtë vend në rrugën drejtë integrimeve evropiane. Por, karakteri i paqartë i këtij vendimi, që nuk cakton një datë se kur do të fillojnë bisedimet për anëtarësim, tregon se vendi ende përballet me sfida praktike e politike për të ndërtuar një demokraci stabile post-konfliktuoze. Implementimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, që i dha fund një lufte të shkallës së ultë në vitin 2001, është afër kompletimit dhe reformat esenciale janë në realizim e sipër, megjithatë ky progres sado sinjifikant që është, është edhe relativ. Bashkësia ndërkombëtare duhet të vazhdojë të bëjë presion mbi qeverinë që të bëjë hapa më të shpejtë dhe më seriozë në sektorët vitalë, përfshirë policinë e veçanërisht gjyqësinë, ku ende ka ngecje e ku realizimi konkret shpesh është më i ngadalshëm se sa retorika e qeverisë.

Ashtu sikur që kishte ndihmuar njohja e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues nga ana e SHBA-së në nëntor të vitit 2004, njësoj edhe vendimi i BE-së i dha shtytje të rëndësishme prestigjit dhe vetëbesimit të vendit. Megjithatë, fjalët e zgjedhura me kujdes në Samit tregojnë se BE-ja do të vazhdojë të bëjë presion, gjë që vërtetë duhet ta bëjë, për më shumë përparim në disa fronte. Arsye për shqetësim, sidomos për reformat në polici dhe gjyqësi, kanë edhe qytetarët e zakonshëm të Maqedonisë si edhe liderët e tyre politikë. Përparimi në këto sfera jo vetëm që është parakusht për anëtarësim në BE por ndikon drejtpërdrejtë edhe në aftësinë e koalicionit që të qeverisë në mënyrë të përgjegjshme.

Reformat policore, të përcaktuara nga Ohri, kanë shënuar përparim në aspekt të rekrutimit dhe trajnimit të kadetëve të rinj, duke shtuar numrin e oficerëve shqiptarë dhe duke marrë përgjegjësinë për ruajtjen e kufijve. Por, derisa qeveria nuk shkon më larg dhe të prekë çështjet menaxheriale më fundamentale, përfshirë decentralizimin e përgjegjësive dhe të institucionalizojë një sistem të gradimit në bazë të meritave, policia nuk do të jetë shërbim transparent e i përgjegjshëm që u shërben qytetarëve.

Sistemi gjyqësor mbetet i pareformuar dhe jofunksional. Vendi me 2 milion banorë ka rreth 1,2 milion raste të pashqyrtuara. Ky sistem i gjymtë që pëson me të madhe nga ndikimi i ekzekutivit dhe korrupsioni, i shërben interesave të ngushta politike. Bashkësia ndërkombëtare e ka vërejtur këtë problem vonë, vetëm atëherë kur sistemi gjyqësor filloi të kërcënojë përparimin e bërë në fushat tjera. Qeveria ka përpiluar disa amendamente kushtetuese që synojnë të promovojnë pavarësinë e gjyqësorit, përfshirë emërimet e përjetshme dhe nevojën e marrjes së shumicës, dy të tretat e votave në parlament, për t’u emëruar. Por tani duhet edhe të implementojë këto masa dhe të ndërmarrë hapa të menjëhershëm që të përmirësojë kualitetin dhe të shtojë përgjegjësinë duke larguar gjyqtarët e korruptuar dhe të papërgjegjshëm si dhe duke trajnuar ata që janë të kualifikuar dhe të aftë.

Dy gjëra tjera, që nuk janë të lidhura me njëra tjetrën, kërkojnë vëmendje të veçantë në vitin 2006. Kthimi në skenë i katër rasteve të krimeve të luftës të hetuara nga Tribunali i Hagës kërcënon të kthejë kujtimet e hidhura nga konflikti i vitit 2001 dhe të sfidojë sistemin gjyqësor joadekuat. Mënyra se si do të veprohet në këto raste – në aspektin operacional dhe politik – do të ndikojë në politikën vendore si dhe në marrëdhëniet e Maqedonisë me partnerët ndërkombëtarë. Shtimi i tensioneve përbrenda komunitetit islam, ku gara për lidership ka tejkaluar suazat e çështjes së institucionit dhe tani ka kapluar edhe opinionin publik, ka bërë që të shtrohet pyetja nëse vendi kërcënohet nga islamizmi radikal. Nuk ka kërcënim të vërtetë vahabit por liderët e shqiptarëve të Maqedonisë brengosen se lufta për pushtet mund të reflektohet keq në komunitetin e tyre dhe do të mund të keqpërdorej nga armiqtë politikë.

Edhe pse shqetësimet që kulmuan me referendumin e nëntorit 2003 – duke numëruar këtu edhe shqetësimet rreth asaj se si do të bëhej ndarja e pushtetit ndër komunitetet etnike si dhe paraqitja jetëshkurtër e një grupi të armatosur shqiptar në periferi të Shkupit – duken tanimë të tejkaluara, Maqedonia ende mbetet një demokraci e papjekur, e prekshme nga keqdashësit që kërkojnë t’i keqpërdorin reformat e papërsosura. Rruga drejt Evropës do të jetë e sigurt vetëm atëherë kur vendi do të implementojë iniciativat e nevojshme dhe do t’i menaxhojë sfidat politike para se këto të shndërrohen në kriza. Këta janë disa nga hapat e nevojshëm:

  • Gjyqësia. Bashkësia ndërkombëtare dhe Maqedonia duhet të angazhohen që të bindin Tribunalin e Hagës që të shtyjë së paku deri në gjysmën e dytë të vitit 2006 (më së miri deri më 2008) kthimin e katër rasteve që po shqyrton derisa donatorët të punojnë me qeverinë që të shpejtojnë reformën e gjyqësorit, përfshirë mbajtjen e trajnimeve të veçanta për gjyqtarët që merren me krimet serioze; teknikat e hetimeve në vendin e ngjarjes; një program funksional të mbrojtjes së dëshmitarëve; dhe një gjykatë për krimet serioze. Pasi të jenë miratuar amendamentet kushtetuese, qeveria duhet që menjëherë të lirohet nga gjyqtarët e korruptuar dhe ata të dobët, të themelojë një gjykatë të re administrative për shkeljet më të lehta të ligjit, dhe të themelojë një akademi të përhershme për gjyqtarët dhe prokurorët e ri.
  • Policia. Ligji për policinë që ende pret të miratohet, duhet që të delegojë më tepër, e jo më pak, kompetenca në rajonet policore. Njësisë për Standarde Profesionale duhet t’i shtohen personeli dhe resurset (përfshirë edhe prezencën e BE-së) ashtu që të jetë në gjendje të hetojë korrupsionin dhe keqpërdorimet përbrenda policisë, si dhe të zhvillohet praktika e avancimit në karrierë në bazë të meritave dhe kjo praktikë të zbatohet me shpejtësi në rastin e oficerëve më të dalluar. Gjithashtu, policia duhet të koordinojë më për së afërmi punën e vet me agjencitë tjera qeveritare.
  • BE. Duke përfituar nga personeli dhe përvoja e misioneve të mëparshme, Proxima dhe EUPAT, Brukseli duhet të vejë një mision të ri, nga qershori 2006, me resurse më të mëdha financiare e njerëzore. Raportimi para Përfaqësuesit Special të BE-së (PSBE) duhet të zgjerohet dhe të përfshijë tërë sektorin e gjyqësisë, përfshirë punën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe të burgjeve. Duhet të dërgojë këshilltarë në Ministritë e drejtësisë dhe të punëve të brendshme, në Zyrën e prokurorit publik si dhe në stacionet e reja rajonale të policisë. PSBE duhet të punojë me qeverinë që të emërojë një këshilltar për çështjet e gjyqësisë dhe punëve të brendshme në Zyrën e kryeministrit që do të ishte përgjegjës për përshpejtimin e reformave dhe koordinimin mes ministrive dhe organeve tjera qeveritare.

Shkup/Bruksel, 12 Janar 2006

More Information