NoScript
General.CookieInfo
General.Confirm
Homepage > Régions et pays > Europe > Balkans > Kosovo > Kosovo: pas de meilleure solution que le plan Ahtisaari

Kosova: pa alternativa të mira për Planin e Ahtisaarit

Raport për Evropë Nr. 182 14 mai 2007

PËRMBLEDHJE DHE REKOMANDIME

Debati mbi statusin e ardhshëm të Kosovës ka arritur një pikë kritike. Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së) ka filluar të shqyrtojë elementet e një draft-rezolute për përcaktimin e të ardhmes së entitetit, mbi të cilën do të mund të votohej në javët që pasojnë. Mënyra më e mirë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit rajonal, si dhe përfundimit të një pritjeje tetë-vjeçare në Kosovë, me një administratë të lodhur dhe të përkohshme te OKB-së dhe me një ekonomi të pa zhvilluar e me rritje të ngadalshme, është një rezolutë që bazohet qartësisht në planin e të Dërguarit Special të OKB-së, Martti Ahstisaari. Kjo do të zëvendësonte Rezolutën e KS të OKB-së 1244, do të definonte rregullimin e brendshëm dhe mekanizmat për mbrojtjen e pakicave në Kosovë, do të mandatonte prezencën e re ndërkombëtare dhe do të lejonte pavarësi të mbikëqyrur.

Ahtisaari i prezantoi planin e tij në mes të marsit 2007 – në formën e një “Raporti” të shkurtër dhe të një “Propozimi Gjithëpërfshirës” të gjatë – Sekretarit të Përgjithshëm, i cili me përkrahjen e tij të plotë, më 26 mars, e dërgoi këtë në Këshillin e Sigurimit. Kjo erdhi pas katërmbëdhjetë muaj negociatash - proces ky që ishte autorizuar nga Këshilli me Rezolutën 1244, që mandatonte “një proces politik të dizajnuar për zgjidhjern e statusit të ardhshëm të Kosovës” – gjë që dështoi të arrinte kompromis ndërmjet Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës.

Plani i Ahtisaarit është një kompromis që u ofron shqipëtarëve të Kosovës perspektivën e pavarësisë, serbëve të Kosovës të drejta të gjera, siguri dhe marrëdhënie të privilegjuara me Serbinë, dhe Serbisë shansin që të lë anash të kaluarën një herë e përgjithmonë dhe të kuptojë të ardhmen e saj evropiane. Është receta më e mirë për krijimin e një shoqërie multi-etnike, demokratike dhe të decentralizuar, dhe përputhet brendapërbrenda projektit multi-etnik të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, gjë që në fund ofron mundësinë e anëtarësimit. BE-ja është që tani donatori më i madh në Kosovë, dhe planifikon të përvetësojë pjesën më të madhe të përgjegjësisë në misionin civil në Kosovën e pas statusit. Përfundimisht Kosova është dhe do të mbetet, deri në zgjidhjen e saj, problem evropian.

Alternativa është e zymtë. Detyrimi i shqiptarëve të Kosovës që të kthehen mbrapa në marrëdhënie kushtetuese me Serbinë do të shkaktonte dhunë. Beogradi ka ofruar pak përveç propozimeve që Kosova të mbetet pjesë integrale e shtetit serb. Gjatë tetë viteve të fundit ajo nuk ka ndërmarrë asgjë për të integruar shqiptarët e Kosovës apo për t’u ofruar aranzhime të kuptimta dhe konkrete për autonomi. Në vend të kësaj është orvatur që të kosnolidoj bazat për një ndarje etnike të Kosovës përgjatë lumit Ibër, i cili kalon anëpërtej qytetit verior të Mitrovicës. Ajo e ka bërë këtë duke u munduar që të vonojë miratimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit, në pritje që kjo vonesë do të nxiste reagiom të shqiptarëve të Kosovës, përfshirë këtu edhe dhunën, dhe në këtë mënyrë të krijoheshin kushtet për një ndarje të tillë. Ndarja, megjithatë, jo vetëm se do të shkatërronte mundësinë për multi-etnicitet në Kosovë por do të destabilizonte edhe shtetet fqinje.

Implementimi i Propozimit Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës i Ahtisaarit do të paraqesë sfida mjaft të mëdha. Çelësi drejt një tranzicioni paqësor qëndron në masat e gjera të decentralizimit, të cilat ofrojnë mënyrë për sigurimin e interesave për pakicat e saj serbe në shtetin e ri të Kosovës, sidomos për shumicën e serbëve të Kosovës që jetojnë nëpër enklava në jug të Ibrit. Propozimi i Ahtisaarit është zgjuarësisht i dykuptimshëm sa i përket pushtetit dhe kohëzgjatjes së misionit të BE-së, e cila do të mbikëqyrë këtë marrëveshje, duke u siguruar kështu që komuniteti ndërkombëtar të ruajë të drejtën për fjalën përfundimtare në Kosovë gjatë viteve të shtetformimit të saj.

Ekziston përkrahje e fuqishme nga vendet e mëdha perëndimore për miratimin e një rezolute të bazuar plotësisht në planin e Ahtisaarit. Por gjithashtu është e rëndësishme që të shterrohen të gjitha shanset e mundshme për arritjen e unitetit më të madh të mundshëm brenda Këshillit të Sigurimit, e çka është edhe më me rëndësi, që të shmanget vetoja ruse.

Rusia ka kundërshtuar një orar kohor të shpejtë, ka kritikuar fuqishëm planin e Ahtisaarit, ka shfaqur brengat e saj për precedentin ndërkombëtar që Kosova do të mund të krijonte dhe ka dhënë shenja se mbase mund të vendosë veton mbi një draft që nuk merr parasysh pozicionin e saj. Megjithatë, një zgjidhje kompromisi mund të jetë e mundshme dhe duhet të bëhen përpjekje të tilla, mbase me përfshirjen e disa elementeve shtesë të kushtëzimit në periudhën dy-vjeçare para shqyrtimit të mandatit të mbikëqyrësve ndërkombëtar, si dhe me riafirmimin e nevojës për progres më të madh në standardet mbi të drejtat e pakicave. Një rezolutë që arrin këtë dhe që fuziqon Propozimin Gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, por që nuk përkrahë në mënyrë eksplicite pavarësinë e Kosovës, do të mund të arrinte përkrahjen e nevojshme.

REKOMANDIME

Anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara:

1.  Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara duhet, që sa më shpejt të miratojë një rezolutë nën Kapitullin VII të Kartës, e cila në një shkallë optimale duhet:

a) të zëvendësojë Rezolutën 1244 të KS të OKB-së;

b) të mbështesë Raportin e Ahtisaarit mbi Statusin e Ardhshëm të Kosovës, dhe Propozimin Gjithëpërfshirës të tij për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës;

c) të mandatojë në mënyrë specifike pranin e re ndërkombëtare në Kosovë, siç përshkruhet në Propozimin Gjithëpërfshirës, duke përfshirë Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar (PCN), Zyrën Civile Ndërkombëtare (ZCN), Misionin për Sundimin e Ligjit të Politikës Evropiane për Siguri dhe Mbrojte (PESM) të BE-së dhe Praninë Ushtarake Ndërkombëtare (PUN), si dhe Grupin Udhëheqës Ndërkombëtar (GUN), i cili do të shqyrtojë mandatin e këtyre pranive pas dy viteve;

d) të njohë rrethanat specifike të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, të cilat e bëjnë Kosovën rast unik.

2.  Qeveria amerikane duhet të angazhohet me Moskën në negociata të besimit të mirë, në koordinim të afërt me BE-në, dhe t’i ofrojë Moskës mundësi që të tërhiqet dinjitetshëm nga retorika e saj kundër planit të Ahtisaarit, për shembull duke qenë e gatshme që:

a) të modifikohen aspekte të planit të Ahtisaarit, duke krijuar një të Dërguar Special për Pakica, dhe duke vendosur moratorium dy-vjeçar para se Kosova të ketë mundësi që të aplikojë për anëtarësim në OKB; dhe/ose

b) të miratohet një rezolutë që mbështetë Propozimin e Ahtisaarit, por jo Raportin e tij.

Liderëve shqiptarë të Kosovës:

3.  Udhëheqja shqiptare e Kosovës, deri te miratimi i një rezolute nga KS e OKB-së, duhet që:

a) të mos shpall pavarisnë në mënyrë të njëanshme;

b) të konsolidojnë përgatitjet administrative dhe legjislative për pavarësi;

c) të arrijnë pajtimin për simbolet multi-etnike për shtetin e ardhshëm; dhe

d) të thellojnë koordinimin me partnerët ndërkombëtarë dhe të dizajnojnë një strategji për mbrojtjen e komunitetit serb të Kosovës gjatë javëve të para të pavarësisë.

Prishtinë/Beograd/Nju Jork/Bruksel, 14 maj 2007

Plus d'informations