Kosova: Shtërpce, model i enklavës serbe?
Kosova: Shtërpce, model i enklavës serbe?
Table of Contents
  1. Përmbledhje
Escalation in Northern Kosovo: Causes, Dangers and Prospects
Escalation in Northern Kosovo: Causes, Dangers and Prospects
Briefing / Europe & Central Asia 4 minutes

Kosova: Shtërpce, model i enklavës serbe?

  • Share
  • Ruaj
  • Print
  • Download PDF Full Report

I. Përmbledhje

Shtërpce, një nga enklavat më të mëdha në Kosovë dhe një nga të rrallat me marrëdhënje të mira në mes serbëve dhe shqiptarëve dhe me perspektiva ekonomike, rrezikon që të bie viktimë e përleshjes mbi statusin ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Por në të njëjtën kohë ka shansë që t’u demonstrojë serbëve se ata mund të mbrojnë interesat e tyre brenda rendit kushtetues të Kosovës. Që nga maji 2008, komuna është qeverisur nga autoritete konkurruese me njëra tjetrën, të dyjat të udhëhequra nga serbët: një pushtet zyrtar të emëruar nga OKB-ja përkundër kundërshtimit lokal, dhe një regjim paralel të zgjedhur duke sfiduar ligjin e Kosovës. As njëri as tjetri nuk kanë kapacitet që të kryejnë detyrat e veta. Kjo bllokadë e ka privuar këtë enklavë të qetë nga një pushtet efektiv dhe ka shkatërruar ekonominë e saj, duke parandaluar rregullimin e tregut të saj atraktiv të pronave dhe duke bllokuar privatizimin e qendrës për skijim në Brezovicë. Zgjedhjet lokale më 15 nëntor 2009 mund të sjellin në përfundim këtë status quo, t’i japin Shtërpces një pushtet legjitim dhe të zhbllokojnë potencialin e saj ekonomik. Beogradi, Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të inkurajojnë daljen në votim dhe të pajisin qeverinë komunale me pushtetin dhe resurset për të cilat ka nevojë.

Për një kohë të gjatë Beogradi i ka konsideruar serbët e Kosovës si instrument me të cilin mund të vihet në dyshim pavarësia e Kosovës, duke sponzorizuar zgjedhjet paralele nën ligjin serb dhe duke ofruar përkrahje ekonomike substanciale. Mirëpo Serbisë i mungon aftësia për të ofruar shërbime të mirëfillta qeveritare në enklavat jugore siç është Shtërpce. Pushteti komunal paralel ofron një numër të vogël shërbimesh për banorë dhe çdo herë e më shumë po bëhet jorelevant për jetën e tyre të ditëpërditshme. Serbia duhet të vendosë në rend të parë interesat e banorëve të Shtërpces dhe të pranojë dhe njohë faktin se atyre u duhet të kenë një lidhje me autoritetet e Prishtinës. Duke përkrahur një komunë multi-etnike, Beogradi do të vazhdonte të luajë një rol në institucionet të cilat janë të rëndësishme për serbët lokalë, siç janë edukimi dhe shëndetësia, derisa njëkohësisht kjo do t’u ofronte banorëve mundësinë që të fokusoheshin në gjërat e përditshme të cilat janë të rëndësishme për ta.

Qeveria e Kosovës me ngadalësi po i ofron Shtërpces dhe komunave të tjera pushtetin e theksuar dhe kompetencat të cilat janë të parapara me planin e Ahtisaarit, dokumenti kornizë ky i zhvilluar nga Martti Ahtisaari, ish-presidenti i Finlandës, i shkruar në kohën kur ai tentoi të ndërmjetësonte mbi çështjen e mosmarrëveshjes mbi statusin si përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, para se ky territor të deklaronte pavarësinë. Prishtina insiston se decentralizimi duhet të shtrihet në enklavat jugore si dhe në veriun radikal serb, pjesërisht për t’iu shmangur çfarëdo precedenti që do të përforconte planet për ndarje. Shumë veta në qeveri e konsiderojnë decentralizimin si shpërblim, jo si të drejtë, dhe presin nga serbët e Kosovës që të pranojnë autoritetin e pushtetit qendror në mënyrë eksplicite, para se ai pushtet të transferohet në komunat e tyre. Dalja e një numri të ulët të serbëve në zgjedhje, sipas këtij mendimi, do të ishte justifikim për vonesë të mëtejshme në implementimin e decentralizimit.

Disa parti serbe do të marrin pjesë, por pa pjesëmarrjen e partive të mëdha dhe me bazë në Serbi, dalja në zgjedhje mund të jetë tepër e vogël për të prodhuar një rezultat elektoral në përputhje të plotë me demografinë aktuale dhe preferencat politike. Në një rast të tillë, Prishtina duhet të veprojë për të mundësuar një pushtet komunal, të bashkuar dhe multi-etnik:

  • Në rrethana të tilla, ministria e pushtetit lokal duhet të emërojë një administrator (kryetar) serb në nivelin lokal, si dhe një asamble të re komunale, të përbërë nga kandidatët e regjistruar serbë dhe shqiptarë. Kjo do ta pajiste Shtërpcen me një pushtet komunal me të vërtetë përfaqësues, edhepse në këtë pushtet vetëm shqiptarët mund të kenë demonstruar kredencialet e tyre duke pranuar një mandat të mirëfilltë elektoral nga votuesit e vet. Mirëpo mandati i të zgjedhurve serbë, tashmë i shtyrë një herë, nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të shtyhet përsëri.
     
  • Qeveria e Kosovës duhet pastaj që t’i besojë komunës së re kompetencat e theksuara dhe mjetet e tjera për të cilat ajo ka nevojë, në mënyrë që ajo të mund të menaxhojë Shtërpcen në emër të të gjithë banorëve të saj.

Themelimi i një pushteti komunal legjitim dhe efektiv do të ofronte siguri për Shtërpcen që ajo të merret në mënyrë efektive me çështjet e saj kryesore - Brezovicën (destinacionin turistik më të njohur të Kosovës) dhe Zonën e Vikendit, me patundshmëri të nivelit të parë në zemër të Parkut Nacional të Sharrit. Qendra për skijim e Brezovicës ka disa nga vendet për rrëshqitje më të mira në Evropë; me një zhvillim të mirëfilltë, ajo do të nxiste rritje ekonomike dhe krijimin e vendeve te punës në tërë rajonin lokal. Privatizimi dhe zhvillimi kanë stagnuar për më shumë se një dekadë si rezultat i mosmarrëveshjeve mbi pronat dhe akuzave për korrupsion; është i nevojshëm një lidership i freskët lokal.

Pasi që ministria për ambient dhe planifikim hapsinor (MAPH) të ketë përgatitur një plan gjithëpërfshirës për përdorimin e tokës dhe pas aprovimit të tij nga komuna, qendra për skijim duhet të vendoset në treg. Çfarëdo pohimesh mbi pronat nga kompanitë serbe mund të zgjidhen nga dhoma e veçantë e privatizimit e Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila përbëhet nga një shumicë e gjykatësve ndërkombëtarë.

Nevojitet po ashtu edhe një qasje e re për Zonën e Vikendit, ku janë ndërtuar me qindra vila luksoze, shumë prej tyre ilegalisht, brenda parkut nacional. Kontrolli mbi ndërtimet ka qenë një nga përparësitë më lukrative të të dyja pushteteve të tanishme komunale. Paaftësia për të mbajtur rend në Zonën e Vikendit dëmton kredibilitetin, dëmton ambientin dhe e privon komunën nga të ardhurat tatimore për të cilat ka nëvojë aq shumë. Rrëzimi i ndërtimeve ilegale nuk është përgjigje. Në vend të kësaj:

  • autoritetet e reja komunale duhet të imponojnë dënime të rrepta mbi pronarët dhe të legalizojnë shtëpitë ekzistuese, duke parandaluar njëkohësisht ndërtime të mëtejshme; dhe
     
  • nëse është e domosdoshme, EULEX-i, misioni i Bashkimit Evropian për përforcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, duhet të përdorë autoritetin e vet për të hetuar dhe ndjekur korrupsionin.

Progresi në Shtërpce me siguri do të kishte ndikim katalizues mbi decentralizimin nëpër tërë Kosovën. Komuna mund të shërbejë si model drejt së cilit duhet të punojnë edhe komunat e tjera me shumicë serbe. Me bojkotimin e decentralizimit nga Beogradi, ndërsa me një Prishtinë në dukje të painteresuar në këtë proces, zhvillimet e dukshme dhe në terren janë basti më i sigurt për të bindur serbët skeptikë se ata kanë një të ardhme në Kosovë.

Prishtinë/Bruksel, 15 tetor 2009

Subscribe to Crisis Group’s Email Updates

Receive the best source of conflict analysis right in your inbox.